Home / AKTUALITETE / Sejdiu flet për “korrigjimin e kufijve”, tregon si të veprojë Kuvendi për dialogun me Serbinë

Sejdiu flet për “korrigjimin e kufijve”, tregon si të veprojë Kuvendi për dialogun me Serbinë

Opozita vazhdon ta kundërshtojë idenë e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh dhe vet presidentin si kryenegociator në dialogun me Serbinë.

Lidhur me udhëheqjen e dialogut nga presidenti Thaçi, deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se duhet krijuar konsensus me të gjitha partitë se kush duhet të na përfaqësojë në bisedime, përmes një platformë gjithëpërfshirëse.

“Në rrethana normale, ne do të krijonim konsensus politik në të gjitha rastet kur interesat vitale të shtetit janë në pyetje, përfshirë dhe veçanërisht në dialogun me Serbinë. Dhe në këso rrethana, para bisedimit me Serbinë, ne do të bënim për veten shumë të qartë se kur duhet biseduar me ata, kush do të na përfaqësonte, dhe për cilat tema do të bisedonim dhe për të cilat nuk do të bisedonim. Pra, do të ndërtonim një platformë gjithëpërfshirëse”, është shprehur ai.


Por sipas tij ky konsensus nuk mund të arrihet pasi pushtetarët janë të papërgjegjshëm dhe përçarës.

“Fatkeqësisht, aktualisht kemi pushtetarë të papërgjegjshëm dhe përçarës në të gjitha institucionet e vendit, dhe rrjedhimisht, ky konsensus nuk është i mundur. Në këto rrethana, opozita, edhe pse përfaqëson mbi 60% të votuesit shqiptar në Kosovë, për arsye të anomalive tona kushtetuese, mbetet jashtë pushtetit dhe vendimmarrjes dhe e ka të pamundur të jep kontribut frytdhënës”, ka theksuar Sejdiu.

Sa i përket idesë së presidentit për “korrigjimin e kufijve”, deputeti thotë se nuk dihet pse Thaçi po lëshohet në aventura të tilla, derisa po i shqetëson qytetarët.

“Unë jam deklaruar disa herë rreth kësaj çështjeje shumë të rrezikshme të hapur nga Presidenti Thaçi. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një mori deklaratash skandaloze të bëra nga Presidenti Thaçi, veçanërisht kohëve të fundit. Përfshirë këtu edhe atë lidhur me nevojën për korrigjim të kufijve. Nuk është e qartë pse Presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobësojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe ata pak shtetësi që jemi munduar të ndërtojmë këtë dekadën e fundit”, ka deklaruar ai.

Sipas Sejdiut, asnjë ndryshim i kufijve nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese dhe ai sugjeron që Kuvendi të mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime.

“Është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, dhe çfarë do marrëveshje që mund të ketë nënshkruar apo që mund ta nënshkruajë Presidenti Thaçi që ka objekt ndryshimin e kufijve nënkupton shkelje serioze të Kushtetutës nga Presidenti. Prandaj, ekziston nevoja urgjente që Kuvendi të mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime, përfshirë edhe një platformë të qartë për bisedime, por vetëm pas organizimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, që do të rezultonin me përfaqësim legjitim politik të qytetarëve”, ka thënë ai.

About admin

Check Also

Nervozohet Keq Thaçi, o Burra Nëse doni…

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sa i përket kundërshtimeve të opozitës për shkëmbim të territoreve …